
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka bërë thirrje për paqe, drejtësi, përgjegjësi dhe dialog kombëtar, në një deklaratë ku shpreh shqetësimin për tensionet dhe përplasjet e fundit në vend.
Në reagimin e tij, Këshilli thekson se shqetësimet e qytetarëve dhe studentëve duhet të dëgjohen me seriozitet, ndërsa institucionet kanë përgjegjësinë të japin përgjigje konkrete, transparente dhe në përputhje me ligjin.
Përfaqësuesit e komuniteteve fetare nënvizojnë se e drejta për të protestuar paqësisht është një vlerë themelore demokratike, por dënojnë dhunën, shkatërrimin e pronës dhe cenimin e të drejtave të të tjerëve.
“Paqja nuk nënkupton heshtje përballë padrejtësisë, drejtësia nuk mund të ndërtohet përmes dhunës dhe autoriteti nuk mund të ushtrohet pa përgjegjësi”, thuhet në deklaratë.
Këshilli Ndërfetar sjell në vëmendje edhe pasojat që shkaktojnë aktet e dhunës, duke theksuar se dëmtimi i bizneseve familjare prek drejtpërdrejt jetesën e familjeve, ndërsa cenimi i institucioneve arsimore dhe i përfaqësive diplomatike dëmton sigurinë dhe bashkëjetesën.
Në këtë kontekst, Këshilli u bën thirrje të gjitha palëve që të shmangin përshkallëzimin e situatës dhe të zgjedhin dialogun në vend të konfliktit.
“Vendi ka nevojë për më pak akuza dhe më shumë dëgjim, për më pak përplasje dhe më shumë përgjegjësi, për më pak ndarje dhe më shumë dialog”, theksohet më tej në reagim.
Në përfundim, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë apelon që qytetarët të dëgjohen, institucionet të përgjigjen, drejtësia të garantohet dhe ligji të respektohet, duke vendosur në plan të parë interesin e përbashkët, sigurinë e qytetarëve dhe paqen shoqërore.



