
Është shfaqur për herë të parë që pas protestave të dhunshme dyditore, kryeministri Edi Rama.
Ai akuzoi opozitën kur tha se “duart e opozitës, kërkojnë që të kthejnë Shqipërinë në humnerë”.
Ndërsa shtoi se kjo situatë po ndodh nga duar që duan ta ulin poshtë Shqipërinë sa herë që shkon lart.
Kryeministri u shfaq nga mjediset e zyrës së Kolegjit të Evropës, që u shkatërrua gjatë tubimit të djeshëm.
Rama e cilësoi këtë zyrë si simbol të asaj që, sipas tij, ndodhi gjatë protestës në Tiranë.
Ndërsa akuzoi opozitën se po përpiqet ta pengojë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Evropës, Rama tha se vendi nuk do të kthehet pas.
“Jemi gati. Këto janë duart që përpiqen ta ulin poshtë Shqipërinë sa herë që përpiqet të shkojë lart. Janë duart e një opozite që, me paskat e të verbërve, kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku nuk do të kthehet kurrë.
Qëlloi që kjo zyrë e shkollës së gjeneratës së re europiane të jetë sot simboli i gjithçkaje që Tirana dhe të gjithë panë. Janë orë të vështira, por Shqipëria do të vazhdojë rrugën e saj dhe kurrë nuk do të bjerë në ato duar që e kanë kapur për fyti Shqipërinë. Kushdo që ka dorë në këtë katrahurë do të paguajë.
Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të kthehen kurrë më pas. E ardhmja është e studentëve dhe e shqiptarëve”, u shpreh Rama.
Ai tha se studentët janë gjithmonë të mirëpritur dhe se qeveria mbetet e gatshme për dialog, diskutim dhe gjetjen e zgjidhjeve për çështjet që kërkojnë vëmendje.
“Studentët janë e ardhmja, që shohin larg dhe duan të shkojnë më larg dhe më shpejt. Studentët janë gjithnjë të mirëpritur dhe për ta jemi gjithnjë gati të ulemi, të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje”, deklaroi Rama.



