
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se ndihet i tradhtuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, pas marrëveshjes për eksportin e naftës ruse.
Në një intervistë për mediat britanike, ai paralajmëroi se kjo marrëveshje mund të minojë përpjekjet për të ushtruar presion ndaj Rusisë përmes sanksioneve.
Kreu i shtetit ukrainas theksoi se Uashingtoni duhet të ketë një qëndrim të qartë në raport me luftën dhe agresionin rus.
“Nëse je në mes, duhet të qëndrosh në mes, jo në anën e gabuar. Mendoj se këshilltarët e presidentit Trump e kanë gabim. Nuk e di kush po e shtyn të mos mbajë anën e duhur. Kjo nuk është ana e duhur e historisë”, tha Zelenksy.
Kievi druhet se lehtësimi i kufizimeve ndaj eksporteve ruse mund të ndikojë në efektivitetin e presionit ekonomik ndaj Kremlinit.
Ndërkohë, Zelensky deklaroi se do të rifillojë sulmet ndaj rafinerive të naftës të Rusisë, pavarësisht paralajmërimeve të presidentit amerikan, Donald Trump.



