
Një grup i nivelit më të lartë të sigurisë kombëtare amerikane u mblodh të premten në Camp David për të shqyrtuar zhvillimet e ardhshme lidhur me Iranin, si edhe konfliktin mes Arabisë Saudite dhe rebelëve Huthi në Jemen.
Mbledhja u drejtua nga zëvendëspresidenti J.D. Vance dhe, sipas Axios, nuk ishte bërë publike më herët nga administrata Trump. Në takim ishin të pranishëm Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë Steve Witkoff, drejtori i CIA-s John Ratcliffe dhe kryetari i Shefave të Shtabeve të Përbashkëta, gjenerali Dan Caine.
Burime amerikane të cituara nga Axios bëjnë me dije se diskutimet zgjatën për disa orë dhe u përqendruan te opsionet konkrete për dy frontet e konfliktit. Një tjetër takim i ngjashëm ishte zhvilluar në Camp David në qershor 2025, pak ditë para përshkallëzimit të përplasjes mes Izraelit dhe Iranit.
Takimi u mbajt në një periudhë kur bisedimet me Teheranin janë bllokuar, ndërsa administrata Trump po vlerëson mundësinë e hapave të rinj ushtarakë ndaj Iranit. Të enjten, Presidenti Donald Trump deklaroi se Irani duhet të vendosë nëse do të arrijë një marrëveshje apo do të përballet me pasojat.
Në të njëjtën kohë, Arabia Saudite i ka kërkuar Uashingtonit të mbështesë ofensivën e planifikuar kundër Huthive në Jemen, ku parashikohen edhe sulme ajrore. Deri tani, SHBA-ja nuk ka marrë vendim për t’iu bashkuar drejtpërdrejt operacionit, por po siguron ndihmë jo-luftarake, mes të tjerash informacione inteligjence dhe të dhëna për objektivat.
Kur u pyet të premten për veprimin e ardhshëm të administratës ndaj Iranit, Trump nuk dha hollësi, duke thënë se zhvillimet do të bëhen të ditura në një moment të mëvonshëm. Shtëpia e Bardhë nuk ka reaguar ndaj raportimeve për mbledhjen e fshehtë në Camp David.



