Marrë nga Cbsnews

Senatori republikan i Utah-s, John Curtis, i ka kërkuar Komisionit të Drejtësisë në Senatin amerikan të thërrasë për dëshmi Donald Trump Jr. dhe Hunter Biden, për të hetuar marrëdhëniet e tyre të biznesit me individë dhe subjekte të huaja, si dhe dhuratat që kanë marrë.
Kërkesa vjen pas raportimeve të fundit për financimin nga oligarku rus Umar Kremlev të disa aktiviteteve private të lidhura me dasmën e Donald Trump Jr. në Bahamas. Curtis e cilësoi dhuratën si një çështje që ngre pikëpyetje për ndikimin e interesave të huaja te familjarët e një presidenti në detyrë.
Në një letër drejtuar kryetarit të Komisionit të Drejtësisë, Chuck Grassley, dhe demokratit Dick Durbin, Curtis kërkoi një hetim mbi përdorimin e marrëdhënieve të familjeve presidenciale për përfitime financiare private, trajtim preferencial apo akses te zyrtarët.
Senatori republikan rikujtoi gjithashtu aktivitetet e biznesit të Hunter Biden me subjekte të huaja, përfshirë në Kinë dhe Ukrainë, duke argumentuar se të dy rastet duhet të shqyrtohen në të njëjtin kuadër.
Dick Durbin deklaroi se e mbështet kërkesën e Curtis dhe tha se korrupsioni në nivelet më të larta të qeverisë nuk duhet toleruar. Ai vuri në dukje se Hunter Biden tashmë ka dhënë dëshmi nën betim para Kongresit, ndërsa Donald Trump Jr. nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Curtis tha se qëllimi i hetimit duhet të jetë përcaktimi i fakteve dhe vlerësimi nëse janë shkelur ligjet për etikën, deklarimin e interesave apo antikorrupsionin.



