
Shpëtim Stërmasi, i njohur në Tiranë më shumë si Shik Stërmasi, i përket një prej familjeve patriotike, atdhetare, intelektuale dhe qëndrestare antikomuniste të Tiranës. Ai qëndroi më shumë se 15 vite në SPAÇ dhe kur u kthye, i biri që ende nuk kishte lindur, ishte bërë burrë.
Dhe ai është pikërisht trajneri i sportit të atletikës, Taulant Stërmasi, një nga personat që i atribuohen disa prej arritjeve më të mëdha të atletikës shqiptare, pasi nga “duart” e tij kanë dalë kampionë dhe rekordmenë.
Një vit më parë, i ftuar në emisionin në Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj, ka rrëfyer se babain e kishte njohur në burg dhe për të mbajtur familjen, nëna, Shpresa detyrohej ndonjëherë të shiste edhe gjak.
Taulant Stërmasi: Nëna më ka rritur, nëna nga babi. Gjithë familja e babit është futur në burg, pasi ishin kundër regjimit. Të fundit që u futën në burg ishin babai dhe xhaxhai, që u futën një burg njëkohësisht. Babai u fut në burg në shtator të vitit 1976, kam qenë 3 muajsh në bark të nënës, kam lindur në prill të 1977 në burg. E kam takuar babain për herë të parë vetëm në burg, kur jam rritur.
Në çfarë moshe?
Taulant Stërmasi: Mund ta kem takuar edhe 7-vjeç, pasi babai ka dalë nga burgu në demokraci. Unë isha pjesë e shtresës vurnerabël, isha fëmija i një armiku kështu konceptohej. Kur isha 6-7 vjeç njerëzit flisnin nëpër dhëmbë.
Të bezdiste kjo?
Taulant Stërmasi: Kur je i vogël jo, por kush shkon 10-11 vjeç po. Ti je në pjekje, domethënë unë bëja sport shumë mirë në atë kohë, por mendoj se kjo më ka bërë njeri më të mirë. Nuk është se më pengonte në sport, por në shkollë. Mësuesit edhe që më flisnin, por e kishin dhe vështirë të më jepnin notën. Vetëm nëna punonte, babai ishte në burg, kishte nevojë për ndihmë, por çfarë t’i bënim.
Sa fëmijë ishit?
Taulant Stërmasi: Vetëm unë, më vonë erdhi motra pas 20 vitesh. Më dukej sikur dreka më e mirë ishte të haje bukë me marmalatë. Madje nëna me blen ndonjëherë marmalatën, më thotë e mban mend marmalatën, unë dua ta shoh në frigorifer, por nuk e haj dot. Po ta shohësh nënën time sot duket më e re se atë herë. Në atë kohë duhet të jepte gjak që të merrte lekë, kaq keq ka qenë.



