Nga Sokol Neçaj

Sulmi izraelit mbi bazën ajrore Abu al-Duhur, në veriperëndim të Sirisë, nuk ishte thjesht një bombardim tjetër në një vend të mësuar prej vitesh me ndërhyrje të huaja. Ai ishte një paralajmërim i drejtpërdrejtë ndaj Turqisë: Izraeli nuk do ta pranojë pa kundërshtim shndërrimin e Sirisë së re në një hapësirë strategjike të Ankarasë.
Tetë sulme ajrore dëmtuan pistën dhe depot, pa shkaktuar viktima. Izraeli deklaroi se kishte vepruar për të penguar vendosjen e trupave turke, të cilat, sipas tij, do të prishnin “status quo-në e sigurisë”. Turqia e mohoi këtë pretendim, ndërsa Damasku deklaroi se baza do të mbetej nën sovranitetin sirian. Edhe i dërguari amerikan për Sirinë e quajti sulmin “përshkallëzim të panevojshëm”.
Por pyetja themelore mbetet: që kur fiton një shtet të drejtën të bombardojë territorin e një shteti tjetër sepse dyshon se aty mund të vendosen forcat e një vendi të tretë?
Nëse shqetësimi i mundshëm për sigurinë mjafton për përdorimin e forcës, atëherë sovraniteti i shteteve më të dobëta humbet kuptimin. Ai zëvendësohet nga e drejta e fuqive rajonale për të përcaktuar se çfarë ushtrie, çfarë baze dhe çfarë aleance mund të ketë fqinji i tyre.
Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit, Izraeli nuk shqetësohet më vetëm për praninë iraniane dhe furnizimin e Hezbollahut. Në veri po krijohet një realitet tjetër: një Siri e lidhur politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht me Turqinë. Ankaraja ka mbështetur udhëheqjen e re siriane, trajnon forcat e saj dhe synon të luajë rol kryesor në rindërtimin e vendit.
Baza Abu al-Duhur ndodhet afër kufirit turk dhe larg territorit izraelit. Prania turke aty nuk do të përbënte kërcënim të menjëhershëm ndaj Izraelit. Rëndësia e saj do të ishte kryesisht strategjike: ajo do ta institucionalizonte Turqinë si fuqinë mbrojtëse të Sirisë së re.
Prandaj goditja nuk synonte vetëm pistën. Ajo synonte vetë idenë se Damasku dhe Ankaraja mund të vendosin pa miratimin e Izraelit për arkitekturën ushtarake të Sirisë.
Megjithatë, edhe narrativa turke duhet lexuar me kujdes. TRT World e paraqet Izraelin si fuqi hegjemoniste, ndërsa Turqinë si një “fuqi bashkëpunuese”, të udhëhequr nga historia, kultura dhe stabiliteti. Ky është një portret i zbukuruar.
Turqia bashkëpunon, por edhe projekton fuqi. Ajo mban trupa në Siri, Irak dhe Qipro, si dhe prani ushtarake në Katar, Somali e Libi. Ajo përdor industrinë e mbrojtjes dhe lidhjet ekonomike si instrumente ndikimi. Operacionet turke në veri të Sirisë nuk mund të përshkruhen vetëm si luftë kundër terrorizmit; ato kanë prodhuar edhe pasoja politike, territoriale dhe humanitare.
Pra, përplasja zhvillohet ndërmjet dy fuqive rajonale që kërkojnë të përcaktojnë kufijtë e ndikimit të tyre mbi territorin e një shteti të tretë.
Në sfond janë edhe zgjedhjet izraelite të 27 tetorit. Benjamin Netanyahu lufton për mbijetesën e tij politike, përballë përgjegjësisë për 7 tetorin, luftës në Gazë, çështjes së pengjeve dhe pakënaqësisë së brendshme. Krijimi i një kërcënimi të ri turk mund t’i shërbejë fushatës së tij. Një shoqëri e mbajtur nën ankth sigurie priret të mblidhet rreth udhëheqësit që premton forcë.
Një luftë e plotë ndërmjet Izraelit dhe Turqisë mbetet pak e mundshme. Rreziku i vërtetë është përshkallëzimi aksidental. Nëse Turqia vendos personel ose sisteme mbrojtëse në një bazë siriane dhe Izraeli e godet atë, mund të vriten ushtarakë turq. Ankaraja do të vihej nën presionin për t’u përgjigjur dhe një incident i kufizuar mund të shndërrohej në krizë ndërkombëtare.
Për Shqipërinë, kjo nuk është një përplasje ku duhet zgjedhur me entuziazëm njëri kamp. Turqia është aleate në NATO dhe partnere e rëndësishme ushtarake, ekonomike e politike. Izraeli është gjithashtu partner me vlerë në siguri, teknologji dhe diplomaci. Interesi shqiptar është të ruajë marrëdhënie të pavarura me të dyja vendet dhe të mos importojë konfliktin e tyre. Shqipëria duhet të mbrojë pa mëdyshje sovranitetin e Sirisë, integritetin territorial të shteteve dhe ndalimin e përdorimit arbitrar të forcës. Si shtet i vogël, ajo nuk ka interes të legjitimojë doktrinën sipas së cilës një fuqi mund të bombardojë fqinjin vetëm sepse atje mund të vendoset një forcë që nuk e pëlqen. Shtetet e vogla, nuk kanë mburojë tjetër veç të drejtës ndërkombëtare.
Izraeli kërkon një Siri të dobët, të çmilitarizuar dhe të kontrollueshme. Turqia kërkon një Siri të qëndrueshme, por të lidhur ngushtë me Ankaranë. Asnjëra nuk po vepron vetëm në emër të parimeve që shpall publikisht.



