Kreu i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen prej më shumë se tre javësh në Tiranë, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj pjesëmarrjes së qytetarëve nga Kosova në këto tubime.
Në një intervistë për emisionin “Pressing” në T7, Haradinaj u shpreh se nuk e mbështet përfshirjen e bashkëkombësve nga Kosova në zhvillimet politike të Shqipërisë dhe se, sipas tij, ata duhet të tregojnë përmbajtje.
“Po më vjen marre që i shoh bashkëkombasit në protestë në Shqipëri. Unë nuk do kisha shkuar dhe do t’u kisha thënë njerëzve përmbahuni”, deklaroi Haradinaj gjatë intervistës.
Deklarata e ish-kryeministrit të Kosovës vjen në një kohë kur protestat në Tiranë kanë hyrë në javën e katërt, ndërsa debati politik rreth pjesëmarrjes së qytetarëve nga diaspora dhe nga trojet shqiptare jashtë Shqipërisë është intensifikuar.
Komentet e Haradinajt pritet të ngjallin reagime në Kosovë dhe Shqipëri, veçanërisht mes organizatorëve dhe mbështetësve të protestës, të cilët kanë argumentuar se pjesëmarrja e shqiptarëve nga rajoni përbën një formë solidariteti qytetar.
Deri më tani, organizatorët e protestës nuk kanë reaguar publikisht ndaj deklaratave të Haradinajt.



