
Reputacioni i Kosovës në Uashington është dëmtuar seriozisht gjatë 16 muajve të fundit për shkak të paqëndrueshmërisë politike, zgjedhjeve të përsëritura dhe bllokadës institucionale.
Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier në një intervistë për Kosova Online theksoi se SHBA-të do ta mbajnë nën vëzhgim rrjedhën e zhvillimeve politike në Kosovë edhe pas 7 qershorit.
“Mendoj se Uashingtoni do të vëzhgojë me shumë kujdes nëse qeveria e re do të arrijë të zgjedhë presidentin, dhe të kryejë funksionet themelore të qeverisjes, me të cilat Kosova është përballur gjatë disa cikleve zgjedhore në 16 muajt e fundit”, është shprehur Hovenier.
Edhe njëherë Hovenier ka theksuar se Uashingtoni nuk mbështet parti politike apo kandidatë në zgjedhjet e brendshme të Kosovës. Ajo që kanë bërë SHBA-të është të dërgojnë sinjale shumë të qarta politike për atë që presin nga çdo qeveri e ardhshme.



