Gjykata e Lartë do të shqyrtojë këtë të enjte rekursin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Kërkesa e tij u depozitua më 6 maj, dy ditë pasi Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë ndryshuan pjesërisht praktikën gjyqësore lidhur me zbatimin e kësaj mase shtrënguese.
Në ankimimin e tij, Veliaj kërkon zëvendësimi i izolimit në qeli me një masë më të lehtë sigurimi, duke ofruar si alternativa “garancinë pasurore” ose masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Paralelisht me këtë proces, Gjykata Kushtetuese ka rikthyer në Gjykatën e Lartë një tjetër kërkesë të tij, duke kërkuar një vlerësim të ri mbi proporcionalitetin e masës së arrestit në burg në raport me funksionin publik të kryebashkiakut.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e plotë penale. Mbi Erion Veliajn rëndojnë 13 akuza, ndërsa mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, janë ngritur 12 akuza për veprën penale të korrupsionit pasiv.
Sipas dosjes së SPAK, bashkëshortët dyshohet se në 9 raste të veçanta kanë përfitival në mënyrë të parregullt shuma monetare dhe pasuri të paluajtshme nga subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse (OJF). Në këmbim, këto subjekte përfitonin leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës, të cilat miratoheshin me nënshkrimin e vetë kryebashkiakut dhe transferoheshin drejt strukturave të kontrolluara nga rrethi i tij i afërt.



