Platforma shtetërore e-Albania është rikthyer në funksion pas dy ditësh ndërprerjeje për shkak të përmirësimeve teknike dhe përditësimeve të sistemit.
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar rihapjen e platformës përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, ku prezantohen edhe risitë e versionit të ri “e-Albania 2.0”.
Sipas tij, platforma e re vjen e ridizajnuar mbi një infrastrukturë të modernizuar, me synim për të ofruar shërbime më të shpejta dhe më efikase për qytetarët dhe bizneset.
e-Albania është ndërtuar me teknologji më të avancuara dhe standarde të reja performance, duke synuar përmirësimin e aksesit dhe përfshirjes së qytetarëve në shërbimet digjitale.
Në deklaratën e tij, Edi Rama theksoi gjithashtu se platforma e re mundëson përdorim më të lehtë edhe për personat me aftësi të kufizuara, duke synuar një shërbim publik digjital më gjithëpërfshirës dhe pa barriera.



