Është mbyllur protesta e studentëve shqiptarë në Shkup, e zhvilluar për kërkesën që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Në përfundim të tubimit, organizatorët falënderuan studentët që kishin ardhur nga Tirana dhe Prishtina në mbështetje të protestës, duke theksuar se pjesëmarrja e tyre e kishte forcuar mesazhin e protestës.
“Sot u dridh i gjithë Shkupi. Heshtja nuk është opsion, le ta dëgjojë çdo institucion,” deklaruan protestuesit gjatë mbylljes së tubimit.
Në mesazhet e tyre, studentët u bënë thirrje institucioneve që të mos “zvarrisin çështjen dhe të mos hapin plagë të reja për të harruar të vjetrat”, duke theksuar se janë të gatshëm të vazhdojnë kërkesat e tyre deri në zgjidhje.
Protesta u zhvillua në sheshet dhe rrugët kryesore të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, ku pjesëmarrësit kërkuan zbatimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës.
Në thirrjet e tyre gjatë protestës, studentët kërkuan gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit të Drejtësisë Igor Filkov.



