Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar mensën e Akademia e Sigurisë pas incidentit ku 56 studentë dyshohet se u helmuan nga ushqimi.
Sipas informacioneve zyrtare, analizat laboratorike kanë konfirmuar se ambientet ku konsumohej ushqimi ishin jashtë standardeve higjieno-sanitare, çka ka sjellë ndërhyrjen e menjëhershme të AKU-së dhe vendosjen e shiritit bllokues në mensë.
Megjithëse furnizimi me ushqim realizohej përmes shërbimit katering nga kompania Sori Al, autoritetet kanë konstatuar probleme serioze me kushtet e ambienteve të konsumimit.
Burime pranë institucionit bëjnë me dije se, për shkak të mungesës së kushteve për ushqim, kursantët e Akademisë së Sigurisë pritet të dërgohen para kohe në praktikë jashtë ambienteve të institucionit.
Ndërkohë, pritet që autoritetet përkatëse të vijojnë hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë mbi incidentin dhe shkaqet që çuan në helmimin e studentëve.



