Në kuadër të Ditës së Dëshmorëve, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Bajram Begaj zhvilluan sot homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve” në Tiranë.
Në monumentin “Nënë Shqipëri”, autoritetet shtetërore vendosën buqeta me lule në nderim të të rënëve për liri, në një ceremoni përkujtimore që u zhvillua me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë dhe përfaqësuesve të institucioneve.
5 maji në Shqipëri njihet si Dita e Dëshmorëve dhe lidhet me përkujtimin e figurave që ranë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kjo datë është vendosur në kujtim të 5 majit 1942, kur u vra Qemal Stafa, një nga aktivistët e njohur të rezistencës antifashiste.
Sipas historisë, përpara krijimit të shtetit modern shqiptar, kujtimi i dëshmorëve është ruajtur përmes këngës epike dhe transmetimit të historive të tyre nga brezi në brez, si pjesë e trashëgimisë kombëtare dhe kujtesës historike.



