Në një mbrëmje të pazakontë kulturore në Berlin, Kryeministri Edi Rama prezantoi 13 vizatime të tij në ambientet e Ambasadës së Italisë, në kuadër të një ngjarjeje të lidhur me ekspozitën e tij personale “Chrysalizing”, e cila po zhvillohet në Société Gallery.
Ekspozita përfshin gjithashtu skulptura të krijuara nga Rama, i cili prej vitesh njihet edhe për aktivitetin e tij artistik krahas politikës.
Gjatë eventit, ambasadori italian në Berlin, Fabrizio Bucci, zhvilloi një intervistë me kryeministrin, në një format jozyrtar që ndërthurte artin, kujtimet personale dhe politikën.
Në një intervistë për ANSA-n, Rama kujtoi edhe të kaluarën e tij si sportist dhe artist, duke thënë me ironi: “Jam artisti më i mirë në botë mes kryeministrave dhe kryeministri më i mirë mes artistëve”.
Duke u ndalur te temat politike, Rama foli për Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë si një proces të domosdoshëm për ndërtimin e institucioneve në vendet aspirante.
“Bashkimi Evropian është një bekim për ne. Procesi i tij është i ndërlikuar, ndoshta më neurotiku, por funksionon,” u shpreh ai.
Ai shtoi se pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, BE ka ndryshuar qasje: “Para luftës flitej drejt, por veprimet mungonin. Pas saj, u kuptua se vendet jashtë unionit mund të humben.”
Megjithatë, Rama kritikoi ritmin e ngadaltë të procesit evropian, duke theksuar se nevojitet më shumë shpejtësi dhe më pak pengesa burokratike.
Gjatë bisedës, Rama kujtoi edhe periudhën e tij si pedagog në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas si kryebashkiak i kryeqytetit, duke folur për transformimin urban dhe shoqëror të Shqipërisë.
Sipas tij, vendi ka kaluar nga një shoqëri e fokusuar kryesisht te mbijetesa, drejt një interesi më të madh për hapësirën publike dhe zhvillimin institucional.
Eventi u organizua në bashkëpunim me Société Gallery si pjesë e “Gallery Weekend Berlin”, ndërsa ambasada mbështeti edhe pjesëmarrjen e një bande marshuese nga Olevano Romano, e lidhur me një vepër të artistes gjermane Annika Kahrs, e ekspozuar në Hamburger Bahnhof.



