Nga Ivana Kottasová dhe James Frater

Humbja zgjedhore e Viktor Orbán u prit me një lehtësim të madh, dhe pak “schadenfreude” (kënaqësi për fatkeqësinë e tjetrit), në Bruksel, pasi zyrtarët evropianë shpresojnë që një qeveri e re hungareze do të sjellë një qasje më pro-evropiane.
Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Evropian, tha në rrjetet sociale se: “Hungaria ka zgjedhur Evropën.”
“Evropa gjithmonë ka zgjedhur Hungarinë. Së bashku, jemi më të fortë. Një vend rikthen rrugën e tij evropiane. Bashkimi bëhet më i fortë,” tha ajo.
Roberta Metsola, Presidente e Parlamentit Evropian, e uroi Péter Magyar për fitoren, duke thënë: “Vendi i Hungarisë është në zemër të Evropës.”
Komentet nga von der Leyen dhe Metsola nuk janë befasuese – Orbán ka qenë një problem i madh për Bashkimin Evropian gjatë pjesës më të madhe të 16 viteve të tij në pushtet, duke u përplasur me Brukselin për një sërë çështjesh. Nga ligjet për migracionin deri te mbështetja e BE-së për Ukrainën, Orbán ka përdorur vazhdimisht vonesa procedurale dhe fuqinë e vetos për të bllokuar marrëveshje kyçe.
Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili është përplasur me Orbán në të kaluarën, tha në X se Franca mirëpret “një fitore që tregon lidhjen e popullit hungarez me vlerat e Bashkimit Evropian dhe rolin e Hungarisë në Evropë.”
Kancelari gjerman Friedrich Merz e uroi Magyar dhe tha: “Le të bashkojmë forcat për një Evropë të fortë, të sigurt dhe, mbi të gjitha, të bashkuar.”
Kristen Michal, Kryeministri i Estonisë, tha: “Hungarezët kanë bërë një zgjedhje historike për një Hungari të lirë dhe të fortë në një Evropë të bashkuar, duke refuzuar forcat që injorojnë interesat e tyre.”
Ndërkohë, Kryeministri suedez Ulf Kristersson tha se zgjedhjet “shënojnë një kapitull të ri në historinë e Hungarisë.”



