Nga Ilir Demalia
Gjeku i Markajve si deng pa markë. Kështu do ta përkufizonte ndonjë plak i mençur i katundit, po të shihte se si u shfaq papritur në oborrin e SHQUP-it një ditë të bukur Goni ynë. Deri dje i zakonshëm si gjithë të tjerët, por sapo i ra era pushtetit, filloi të ndryshojë pamje sikur t’i kishte rënë ndonjë rreze modernizimi nga qielli.
Filloi të lëmojë flokët, t’i palosë me xhel e t’i ngrejë në formë skarpate. Vuri edhe shaminë në xhepin e xhaketës, ashtu siç e kanë zakon burrat që duan të duken “elegantë” në fotografitë e gazetave. Dhe, duke dashur të duket modern e i rafinuar, u shfaq para publikut si një lloj kllouni cirku që nuk e di mirë nëse është aktor, akrobat apo thjesht figurant.
Por politika shqiptare, në këtë guak-guak të madh prej 35 vitesh, çfarë nuk ka prodhuar! Ka nxjerrë çdo lloj specieje politike: nga demagogu profesionist te servili i përjetshëm, nga patrioti me kontratë te moralisti me honorar. Prandaj, pse të mos shtohej edhe një guak më shumë – një Goni që rastisi të bëhej deputet e madje profesor letërsie, që fjalës çështje i thotë qështje dhe gërmën dh e shqipton ll. Në këtë kakofoni parlamentare, edhe kjo nuk prish shumë punë.
Mirëpo ajo që nuk mbahej më ishte momenti kur Goni, pasi u bë nënkryetar i Kuvendit, vendosi t’i hyjë satirës dhe sarkazmës. Aty iu duk vetja si një lloj rilindasi modern, një pasardhës i denjë i një figure të madhe të kulturës shqiptare.
Por këtu fillon komedia.
Sepse satira nuk është xhel flokësh që ta vendosësh në mëngjes dhe të shkëlqesh në ekran. Satira kërkon kulturë, nerv, gjuhë dhe mendim. Dhe këto nuk blihen në dyqanin e politikës ditore.
Ndërkohë historia shqiptare ka njohur oratorë të vërtetë, njerëz që e përdornin fjalën si shpatë dhe si dritë. Njerëz që, kur flisnin për çështjen e atdheut, nuk kishin nevojë për poza, as për xhel flokësh por thjeshtë vetëm veladonin.
Ata njihnin ironinë therëse dhe sarkazmën që digjte si kripa mbi plagë. Dinë të përdorin gjuhën popullore për të goditur elitën politike, për ta çveshur nga maskat e hipokrizisë.
Ndaj kur sot dëgjon ndonjë Goni që përpiqet të bëjë satirë parlamentare, nuk mund të mos të kujtohet se satira e vërtetë kishte një peshë tjetër. Ajo ishte thikë, jo lugë plastike.
Satira e sotme shpesh është vetëm një buzëqeshje e shtirur në mikrofon, një shaka e lodhur që nuk shpon askënd. Është një përpjekje për të dukur i zgjuar, pa pasur as thellësinë dhe as guximin e fjalës.
Dhe pikërisht këtu qëndron ironia më e madhe.
Sepse Goni dhe gonat e parlamentit të sotëm nuk janë pasues të satirës së madhe shqiptare. Ata janë personazhe të saj. Figura që do të përfundonin në ndonjë varg therës, si shembuj të një kohe ku zhurma bëhet për ide dhe poza për karakter.
Për këtë soj dallkaukësh satira shqiptare do të kishte gjithmonë një pyetje të thjeshtë e therëse siç shkruante Vigani Veriut:
Ku i keni kokat që keni pre,
Ku i keni librat që keni shkrue…
Dhe kur sheh transformimet e shpejta të disa politikanëve – nga anonimë provincialë në “zotërinj” me kostume e fjalime – nuk mund të mos të kujtohet ajo tablo e njohur e metamorfozës Viganit At Fishta:
Deri dje, pa kmishë mbi shtat,
Me ʻi gjysmë setre tʼpa astar,
Lshuemun krahve kalavar
E me ʻi komçë tʼnjitne nën grykë:
Pantallonat me “gjyslykë”,
Kto edhe lidhun me nji spagë…
E sot, papritur, i sheh me “smoking”, me “bon-jour”, me poza e me fraza të mëdha, sikur historia e këtij vendi filloi në momentin që ata hynë në politikë.
Në fund mbetet vetëm një e vërtetë e thjeshtë: satira nuk lind nga dëshira për t’u dukur i mençur, por nga përplasja me marrëzinë e kohës. Dhe kur satira bëhet nga ata që janë vetë pjesë e kësaj marrëzie, atëherë ajo nuk të bën të qeshësh.
Të bën vetëm të mendosh se në këtë teatër politik, rolet janë përmbysur: aktorët mendojnë se janë kritikë, ndërsa publiku sheh se janë vetëm personazhe.
Prandaj satira e Gonit nuk të bën të qeshësh. Të bën vetëm të kuptosh se komedia më e madhe nuk është fjala e tij — por vetë skena ku ai e thotë.



