Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas sulmit të ndodhur një natë më parë ndaj Vilës 31 në Tiranë, duke akuzuar opozitën e drejtuar nga Sali Berisha për nxitje dhune dhe vandalizëm.
Në një reagim publik, Rama tha se sapo kishte dalë nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku aktualisht fondacioni Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera të botës. Sipas tij, artistët e rinj ishin të traumatizuar nga ajo që e cilësoi si “çmenduri e barbarisë së mbrëmshme”.
Kryeministri e përshkroi ngjarjen si “një sulm të verbër të një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë”, duke akuzuar drejtpërdrejt opozitën dhe liderin e saj.
Reagimi i plotë i kryeministrit
Sapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh tanimë fondacioni prestigjoz Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota, të cilët i gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme.
Një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush!
Gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm, sa herë arrestohen nga policia janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma të pandodhura askund në Europë me bekimin e nën hyqmin e një partie parlamentare, në selinë e të cilës nuk flitet për ide e programe, po bëhen vetëm plane dhune dhe bomba artizanale!
Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj!



