Analisti Preç Zogaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, e shpjegoi protestën e fundit të opozitës, me shprehjen e famshme të Ajnshtajnit, se përkufizimi i çmendurisë është të bësh të njëjtën gjë gjithmonë dhe të presësh rezultate të ndryshme.
“Nuk ka ndonjë enigmë, është e gjitha skenar. Kështu janë me skenar gjithmonë. Ka ndodhur në disa raste që kur ka patur protesta mbarë popullore pa skenarë, por këto janë me skenar, orari, çdo element, hedhja e molotovëve, gjuajtja me fishekzjarre, çdo gjë është e menduar me imtësi, kush mendon ndryshe nuk kupton natyrën e protestave që ndërmerr një parti politike. Me ekstremizmin nuk debatoj, sepse me ekstremizmin nuk debatohet. Të predikosh opozitarizëm për ti vënë flakën Tiranës, kjo nuk jep rezultat, por kënaq syrin e njerëzve që kërkojnë të shohin flakë.
Dhuna dhe molotovi vonojnë rrëzimin e qeverisë. Provën e kemi në 35 vjet. Nuk kemi pse harrojmë përkufizimin e Ajnshtajn, që budallai bën të njëjtat gjëra dhe pret rezultate të ndryshme. Dhuna dhe molotovi nuk jep rezultat. Mund të japin kur grupe interesi, njerëz, rini, sindikata, që nuk kanë kërkesa politike për të marrë pushtet, por kanë një kërkesë”, tha ndër të tjera Zogaj.



