Përkthyer dhe përshtatur nga N’xhiro me Syçin
Jeta e Jeffrey Epstein si një njeri i lirë po i vinte fundi, por fillimisht ai duhej të anulonte planet për mëngjes me një mik: Steve Bannon, influencuesi i krahut të djathtë dhe ish-strategu i Shtëpisë së Bardhë.
Në ditët para arrestimit të tij në korrik 2019, dy burrat shkëmbyen një lumë mesazhesh që varionin nga shakatë e zeza deri te strategjitë serioze për të nxitur një lëvizje populiste globale. Dokumentet e zbardhura nga Departamenti i Drejtësisë (DOJ) dhe Komiteti i Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve zbulojnë se Epstein nuk ishte thjesht një i njohur, por një aktor i përfshirë thellë në ambiciet politike të Bannon.
“Gjithçka anulohet”
Më 6 korrik 2019, pas një bisede për takimin e tyre të radhës, Epstein shkroi papritur: “Gjithçka anulohet”. Mesazhi u dërgua në orën 19:37. Në atë moment, autoritetet federale e kishin ndaluar tashmë financierin në një aeroport të New Jersey-t nën akuzat për trafikim seksual të të miturve.
Ky mesazh shënoi fundin e një marrëdhënieje ku Epstein i ofronte Bannon-it atë që u jepte të gjithë njerëzve të fuqishëm: këshilla strategjike, lidhje në nivelet më të larta të qeverisjes dhe akses në pasurinë e tij të madhe.
“Trump djersitet kur dëgjon se jemi miq”
Bisedat tregojnë se si Epstein e udhëzonte Bannon-in se si të fitonte terren në Evropë. Në një moment, ai e këshilloi Bannon-in të studionte kriptomonedhat për financimin e lëvizjes dhe i ofroi të paguante shpenzimet e tij mjekësore.
Në një shkëmbim mesazhesh që tregon vetëbesimin e tyre, Epstein i shkroi Bannon-it: “Tani mund ta kuptosh pse Trump zgjohet në mes të natës i djersitur kur dëgjon se ti dhe unë jemi miq”. Bannon iu përgjigj shkurt: “E rrezikshme”.
Ndikimi në Evropë dhe “Toksiteti” i Epstein
Bannon dukej i gatshëm të shfrytëzonte rrjetin e Epstein pavarësisht të kaluarës së tij kriminale (dënimi i Epstein në 2008 për prostitucion). Në gusht të vitit 2018, vetë Epstein e pranoi rrezikun që i kanosej imazhit të Bannon: “Unë e kuptoj plotësisht toksicitetin tim për momentin. Dua që ti të fitosh… Mos mbaj peshë për mua. Nuk ia vlen për momentin.”
Pavarësisht kësaj, Bannon kërkoi ndihmën e tij për të identifikuar njerëz që “duan të kontrollojnë Parlamentin Evropian dhe Bashkimin Evropian”. Epstein u përpoq të ndërmjetësonte lidhje me figura si diplomati sllovak Miroslav Lajčák dhe ish-kancelari austriak Sebastian Kurz.
Heshtja e Bannon
Ndërsa ndjekësit e Bannon kanë ushqyer shpesh teori konspirative rreth vdekjes së Epstein në burg (e cilësuar si vetëvrasje), vetë Bannon ka qenë jashtëzakonisht i heshtur për marrëdhënien e tij personale me të. Deri më tani, ai nuk i është përgjigjur kërkesave për koment lidhur me këto dokumente të reja.
Dosjet zbulojnë gjithashtu se para arrestimit, të dy po punonin për një projekt dokumentari ku Epstein do të rrëfente historinë e tij, një projekt që mbeti i përgjysmuar nga prangat e FBI-së.



