Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese mbi kërkesën e Sali Berishës për masën e arrestit shtëpiak rikthen pyetjen se sa e pavarur është drejtësia shqiptare nga politika dhe, më konkretisht, nga ekzekutivi drejtuar prej Edi Ramës, duke qenë se për një kohë të gjatë ka qenë dhe vijon të artikulohet ideja se drejtësia kontrollohet prej pushtetit.
Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar tre vendime të gjykatave më të ulëta lidhur me masën e arrestit shtëpiak ndaj ish-kryeministrit dhe arriti në përfundimin se kohëzgjatja e kësaj mase kishte qenë e tejzgjatur dhe, për rrjedhojë, e pajustifikuar. Në këtë mënyrë, ajo i dha të drejtë Berishës, duke konstatuar se kufizimi i lirisë personale kishte tejkaluar kufijtë e arsyeshëm dhe standardet kushtetuese.
Në thelb, çështja lidhej me përplasjen mes mbrojtjes së Berishës dhe SPAK-ut. Gjatë raportimeve dy mujore, avokatët e tij kundërshtuan vazhdimisht këmbënguljen e prokurorisë për vijimin e arrestit shtëpiak, edhe pse hetimi nuk shoqërohej me zhvillime të reja apo rrethana që ta justifikonin zgjatjen e kësaj mase.
Vendimi është mëse normal, i arsyetuar dhe mjaft logjik, mirëpo paradoksi i tij qëndron në kontekstin politik që e shoqëron. Për muaj me radhë, Berisha ka artikuluar akuza të drejtpërdrejta ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një institucion të kapur dhe në shërbim të qeverisë, ndërkohë që vendimi i djeshëm jo vetëm e rrëzon këtë retorikë, por e ekspozon Berishën përballë një pyetje që shumë të tjerë e bëjnë: A mos është Berisha në shërbim të bashkëpunimit me pushtetin e Edi Ramës?
Nëse institucioni që prej kohësh është etiketuar dhe cilësuar prej tij si i njëanshëm dhe i kontrolluar politikisht, i jep të drejtë, atëherë retorika e kapjes bie ndesh me faktet.
Po e lëmë me kaq, për të mos u futur në logjikën e propagandës së Berishës dhe të themi pastaj që, nëse narrativa e Berishës bie ndesh me faktet, aq më keq për faktet.



