Pas publikimit nga media të disa mesazheve që deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, shkëmben me një drejtues të Ministrisë së Energjitikës lidhur me organizimin e protestave përpara Bashkisë së Tiranës, Almer Toska, drejtuesi i portalit ‘timoni.al’ që njihet për afërsinë e tij me djalin e Sali Berishës, i ka drejtuar një thirrje publike kreut të PD-së, Sali Berisha, të cilit i kërkon të sqarojë raportin me Belind Këlliçin.
“Ti e di që unë të dua, të respektoj dhe kam qenë krah teje gjithmonë. Por pikërisht sepse të dua dhe të besoj, po të drejtohem sot me fjalë të drejtpërdrejta:
Ti duhet të reagosh menjëherë.
Ti duhet të flasësh qartë me shqiptarët.
Ti duhet t’u shpjegosh raportin tënd me Belindin, me këtë aferë, me këtë kompromis që dëmton opozitën dhe shkatërron besimin.” – shkruan, mes të tjerash, Toska.
Toska i kujton Berishës që shqiptarët dhe demokratët nuk kanë nevojë për një opozitë fasadë me njerëz të kapur.
“Shqiptarët dhe demokratët nuk kanë nevojë për njerëz të kapur.
Shqiptarët dhe demokratët nuk kanë nevojë për pazare, kompromis dhe tradhti politike.
Shqiptarët dhe demokratët duan njerëz të vërtetë, të pastër, të ndershëm, që nuk bëjnë marrëveshje me kundërshtarin.
Duan opozitë, jo fasadë.” – vijon më tej ai.
Nuk është hera e parë që në kampin e PD ka akuza për shitje dhe kapje nga pushteti i eksponentëve të opozitës.



