
Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme plenare, e cila nis në orën 09:00, me 22 pika në rendin e ditës. Në fokus të diskutimeve do të jetë ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Përpara Kuvendit pritet të zhvillohet edhe një protestë e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës, e cila kërkon miratimin e projektligjit për ndryshimin e këtij ligji. Siç raporton gazetarja e Top Channel, Leonita Bajrami, protestuesit kanë qëndruar gjatë natës përballë ndërtesës së Kuvendit.
Projektligji për Dhomat e Specializuara do të trajtohet fillimisht në orën 08:00 nga Komisioni parlamentar për Legjislacion, ndërsa një orë më vonë pritet të shqyrtohet në seancën plenare.
Kjo çështje ka qenë në qendër edhe të takimit të zhvilluar të shtunën mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza. Pas takimit, Hamza deklaroi se diskutimet kishin përfunduar dhe kërkoi që ligji të miratohej fillimisht në dy lexime. Sipas tij, më pas do të mund të diskutohej çështja e presidentit, duke bërë të ditur se PDK-ja ishte e gatshme të jepte mbështetjen e saj.
Ndërkohë, dy ditët e ardhshme janë vendimtare edhe për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës. Deputetët kanë kohë sot dhe nesër, më 6 tetor, për të zgjedhur kreun e ri të shtetit. Nëse procesi dështon, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Kështu, seanca e sotme pritet të zhvillohet nën tensionin e dy çështjeve kryesore: miratimit të ndryshimeve për Dhomat e Specializuara dhe zhbllokimit të procesit për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.



