
Në ambientet e Komitetit Olimpik Shqiptar (KOSH), presidenti Fidel Ylli priti sot në një ceremoni zyrtare kampionin e botës në boks, Jurgen Uldedaj, pas triumfit të tij historik në versionin IBO (International Boxing Organization) në kategorinë cruiserweight.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Endrit Hoxha, i cili përgëzoi kampionin për arritjen dhe përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Presidenti Fidel Ylli: “Modele si Jurgen Uldedaj janë krenaria e sportit shqiptar”

Presidenti i KOSH-it, z. Fidel Ylli, falënderoi Jurgen Uldedajn për suksesin madhështor që i ka dhënë sportit dhe kombit shqiptar, duke theksuar rëndësinë e këtij momenti për historinë e boksit shqiptar:
“Jemi mirënjohës jo vetëm për titullin tuaj botëror, por edhe për modelin që krijoni për të rinjtë. Me punë, vullnet dhe këmbëngulje arrihen rezultate jo vetëm vetjake, por edhe kombëtare. Ju mbani me krenari flamurin shqiptar dhe përfaqësoni vendin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme. Shqipëria ka nevojë për modele si ju.”
Në shenjë vlerësimi për këtë arritje të jashtëzakonshme, presidenti Ylli i dorëzoi kampionit një gjerdan floriri, simbol i titullit botëror dhe i mirënjohjes së Komitetit Olimpik Shqiptar për kontributin e tij në sportin kombëtar.

Endrit Hoxha: “Qeveria mbështet kampionët që ngrenë lart flamurin shqiptar”
Zv/ministri i Kulturës dhe Sporteve, z. Endrit Hoxha, u shpreh:
“Jurgen Uldedaj është shembulli më i mirë se si pasioni dhe përkushtimi çojnë drejt suksesit. Qeveria shqiptare do të vazhdojë të mbështesë sportistët elitarë që përfaqësojnë Shqipërinë me dinjitet dhe profesionalizëm.”
Jurgen Uldedaj: “Ky titull është për Shqipërinë”
Nga ana e tij, kampioni i botës Jurgen Uldedaj falënderoi Komitetin Olimpik dhe presidentin Ylli për pritjen dhe vlerësimin:
“Ky titull i përket gjithë shqiptarëve. Do të vazhdoj të ngre flamurin kuqezi në ringjet më të mëdha të botës dhe t’i sjell vendit tim tituj të tjerë. Faleminderit për pritjen dhe dhuratën e çmuar që përfaqëson shumë për mua.”

Një arritje historike për sportin shqiptar
Uldedaj, me origjinë nga Lezha, u shpall kampion bote në fund të tetorit 2025 në Londër, duke mposhtur me vendim unanim boksierin kamerunas Rolly Lambert Fogoum me rezultatin 120-108, 118-110 dhe 119-109. Me këtë fitore, ai u bë boksieri i parë shqiptar që mban një titull botëror në versionin IBO.

Kjo arritje shënon një moment historik për sportin shqiptar dhe përforcon rolin e Komitetit Olimpik Shqiptar si institucioni që mbështet dhe promovon sportistët elitarë, që me punë e përkushtim bëjnë krenarë gjithë kombin.




