Ish-kryeministri Sali Berisha u shfaq para SPAK duke mbrojtur vrasjet e protestuesve në bulevard më 21 janar 2021. Berisha e mbrojti krimin shtetëror duke thënë se nuk ka pasur asnjë urdhër për të qëlluar në drejtim të protestuesve dhe se sipas tij Garda ka vepruar vetëm në përputhje me ligjin.
“S’ka pasur asnjë urdhër dhe s’do mund ta gjejnë që ka patur urdhër, se s’ka patur urdhër. Garda ka vepruar në përputhje me ligjin dhe vetëm ligjin, lexoni ligjin të miratuar nga mazhoranca para ardhjes sonë në pushtet”, tha Berisha nga SPAK ku u paraqit për të zbatuar masën detyrim paraqitjeje për aferën Partizani.
Për ish-ministrin e tij të Brendshëm, Lulzim Basha i cili u paraqit në SPAK vetëm pak ditë më parë, Berisha nuk ka asnjë koment, por zgjodhi të sulmojë kryeprokuroren e atëhershme Ina Rama. Berisha tha se shte kërkesë nga SHBA që të zbardhej 21 janari, të cilin e quan demonstratën më të dhunshme me synimin për të përmbysur pushtetin. Por, ai ‘harron’ kryengritjen e tij të armatosur në 1997 dhe sulmet me armë ndaj institucioneve, dosje që tashmë është depozituar në SPAK.
Dosja 21 janari
Ishte insistimi i palëkundur i familjarëve të Aleks Nikës, e vetmja vrasje pa autor, që çoi dosjen e 21 janarit në dyert e SPAK. Më 12 mars të vitit 2024, Gjykata e Lartë foli në frymën e një vendimi historik të një prej gjykata më të rëndësishme ndërkombëtare, asaj në Strasburg për të Drejtat e Njeriut, dhe urdhëroi SPAK të hetojë 21 janarin si krim shtetëror, për të zbardhur rolin dhe përgjegjësitë e drejtuesve të lartë shtetërorë, Berishës, Bashës, e Ndrea Prendit për vrasjet e 4 protestuesve, Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, sot dëshmorë.
Prokuroria e Tiranës çoi të pandehur vetëm ish-komandantin e gardës Nrea Prendi dhe përgjegjësin e njësisë speciale Agim Llupo të cilët në 2013-ën u dënuan nga gjykata për vrasje nga pakujdesia, Prendi me 1 vit burg, Llupo me 3 vite, tashmë prej kohësh, të dy njerëz të lirë.
Prokuroria e Posaçme regjistroi më 15 korrik procedimin penal për 3 vepra penale, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” kryer në bashkëpunim.



