SHBA-ja njoftoi të mërkurën për heqjen e sanksioneve ndaj Dodikut, aleatëve të tij politikë, anëtarëve të familjes dhe kompanive të lidhura me ta. Sanksionet ndalonin transaksione financiare me Dodikun dhe të gjithë të sanksionuarit e tjerë.
“Kjo është vërtet e jashtëzakonshme. Nuk mbaj mend një heqje të ngjashme të sanksioneve në Ballkan”, tha Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins.
Serwer i tha gjithashtu REL-it se një shpjegim zyrtar duhet të kërkohet nga zyrtarët amerikanë, por se ai hamendëson se ky është “shpërblim për dorëheqjen e Dodikut nga Presidenca”.
Vendimi që konfirmoi Ana Trishiq-Babiqin si presidente në detyrë të Republika Sërpska më 18 tetor konfirmoi zyrtarisht për herë të parë se Dodiku nuk ishte më president i këtij entiteti.
Po atë ditë, Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska anuloi ligjet që kishte miratuar në pranverë për ta penguar punën e organeve shtetërore gjyqësore dhe policore në territorin e entitetit si përgjigje ndaj dënimit të Dodikut.
Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi vendimin e Asamblesë Kombëtare për të emëruar Trishiq-Babiqin si presidente të përkohshme të Republikës Sërpska dhe për t’i tërhequr ligjet separatiste që më parë ishin anuluar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës.
Në komunikatë thuhej se ky veprim ishte rezultat i përpjekjeve të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të qetësuar krizën politike në Bosnjë.
Dodik ka qenë figurë politike mbizotëruese në Bosnje në 20 vjetët e fundit, dhe nëpërmjet Aleancës së tij të Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), ai ka diktuar trendet politike në vend.
Politikat e tij janë etiketuar vazhdimisht si një kërcënim për stabilitetin dhe paqen në Bosnjë.
Departamenti amerikan i Thesarit kishte vendosur sanksione ndaj tij, bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, anëtarëve të familjes dhe kompanive që, siç vlerësoi asokohe SHBA-ja, “shërbyen për pasurimin e tij personal”.
“Shumë të shqetësuar sugjerojnë se ky është rezultat i lobimit të mbështetur nga kontributet politike”, tha Serwer.
Serbia ka planifikuar një rritje prej rreth 22 milionë eurosh në buxhet, të cilat “do të përdoren kryesisht për zyrat përfaqësuese të Republikës Sërpska jashtë vendit dhe për pagesën e shërbimeve profesionale, raportoi REL-i në fillim të korrikut .
Është shumë herët për të thënë nëse ky vendim mund të ndikojë në zgjedhjet e parakohshme presidenciale të planifikuara për 23 nëntor në Republikën Sërpska.
“Ata [administrata e presidentit Trump] duhet t’i kishin kërkuar Dodikut të premtonte publikisht se nuk do të vinte në dyshim sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës në të ardhmen”, tha Serwer.
Dodik është një politikan i hapur prorus, i cili është takuar me presidentin rus Vladimir Putin 10 herë që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt 2022.



