Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) ka njoftuar se Izraeli po vazhdon të pengojë hyrjen e stafit të saj ndërkombëtar dhe të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, pavarësisht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që e detyron atë si fuqi pushtuese të lejojë ndihmën humanitare.
Sipas UNRWA-s, rreth 12 mijë punonjës vendas të saj po vijojnë punën në kushte të rënda për të ofruar shërbime shëndetësore, mbështetje psikologjike dhe arsim për popullsinë civile. “Vetëm një armëpushim nuk mjafton. Nevojiten me urgjencë ushqime, produkte higjienike, tenda dhe furnizime të tjera jetike,” theksoi agjencia në një postim në rrjetin X.
Izraeli kishte ndaluar aktivitetin e UNRWA-s në territoret që kontrollon që nga viti i kaluar, me pretendimin se disa punonjës të saj janë pjesë e Hamasit – akuza që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i ka cilësuar si të pabazuara.
Ndërkohë, në terren, Hamas ka nisur kërkimet për trupat e 13 pengjeve izraelite të mbetura në Gaza, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq dhe ekipet egjiptiane, duke kërkuar edhe përtej vijës së forcave izraelite.
Banorët palestinezë që po kthehen në shtëpitë e tyre përballen me rrezik të madh nga municionet e pashpërthyera: të paktën 53 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur nga eksplozivët e lënë pas nga ushtria izraelite.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli do të vendosë vetë se cilat forca të huaja do të lejohen të hyjnë në Gaza për të siguruar armëpushimin.
Sipas të dhënave të fundit, lufta në Gaza ka shkaktuar mbi 68,500 të vdekur dhe 170,000 të plagosur që nga tetori 2023. Në Izrael, më 7 tetor 2023, u vranë 1,139 persona dhe rreth 200 u morën peng.



