Në podkastin “N’xhiro me Syçin”, i ftuar nga Ilir Demalia, mjeku dhe analisti Ilir Alimehmeti ngriti alarmin për kushtet absurde në të cilat detyrohen të punojnë mjekët e rinj në Shqipëri. “60% e mjekëve të specializimit punojnë katër vjet pa asnjë lloj rroge. Zero! Madje paguajnë edhe taksa studimi,” deklaroi Alimehmeti, duke theksuar se sistemi aktual nuk garanton as strehim e as ushqim minimal. “Si jetojnë këta njerëz? Shteti as nuk e mendon, mendon se po u bën nder.” Ai paralajmëroi se një politikë e tillë prodhon korrupsion që në fillesë: “Nuk fillon korrupsioni me 2.000 euro. Fillon me 2.000 lekë të vjetra. Sepse ai djalë apo vajzë duhet të hajë bukë.” Demalia ndërhyri duke e quajtur situatën “absurde dhe të papranueshme”. Ai u shpreh se një sistem që i detyron profesionistët të punojnë falas nuk mund të quhet shtet funksional. Alimehmeti e krahasoi këtë trajtim me rendin skllavopronar: “Edhe skllavit pronari i siguronte strehë dhe ushqim, se përndryshe vdiste. Sot as këtë nuk ua japin.” Sipas tij, mjekët e rinj kanë vetëm dy zgjedhje: “O të punojnë katër vjet pa pagesë në Shqipëri, pa asnjë garanci, o të nisen për Gjermani dhe të trajtohen si njerëz.” Ai apeloi për një pagesë të dinjitetshme dhe mbështetje reale për të ndalur largimin masiv të bluzave të bardha.



