I ftuar në podkastin “N’xhiro me Syçin” të Ilir Demalisë, mjeku dhe ish-kandidati për Bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti, foli për përpjekjet aktuale për bashkimin e opozitës dhe hapjen e Partisë Demokratike. Duke iu përgjigjur kërkesës së Demalisë për një bashkim mes palëve, Alimehmeti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes vëllezërve kur “po na erdhi hasmi përballë”. Ai iu referua fragmentarizimit të PD-së dhe argumentoi se procesi i bashkimit duhet të nisë nga “parime”, pasi “duhet të bëhet se s’bën mes nesh, mes forcave opozitare”. Alimehmeti pranoi se “duhet të krijohet besim”, duke shtuar se puna është nisur, por nuk mund të jetë magji që të bëhet “brenda natës”. Ai evidentoi se të gjitha partitë opozitare kanë pranuar të jenë pjesë e diskutimeve, duke e konsideruar këtë një proces të mirë.



