Në podkastin “N’xhiro me Syçin”, Ilir Demalia ndaloi te ndarja nga jeta e gazetarit Artur Zheji, duke e cilësuar një humbje të madhe për gazetarinë shqiptare dhe një moment reflektimi për shoqërinë. “E njihja Arturin, kemi punuar bashkë disa vite. Ishte një njeri i kualifikuar dhe i ndershëm,” tha Demalia, duke kujtuar momentet e funeralit ku morën pjesë figura të njohura politike. Ai tregoi një detaj që e tronditi: “Kur erdhi Lulzim Basha, një njeri që ka qenë dhjetë vite kryetar opozite dhe ministër i rëndësishëm, asnjë gazetar nuk iu afrua ,madje as për t’i dhënë dorën. Kjo tregon se në Shqipëri marrëdhëniet ndërtohen mbi interes dhe jo mbi respekt.” Demalia e cilësoi këtë fenomen “tipik ballkanik dhe thellësisht shqiptar”, duke shtuar se “këtu të kërkojnë të gjithë kur je në majë, por të harrojnë sapo bie poshtë”. Analisti Arion Sulo u pajtua me këtë vëzhgim, duke theksuar se media shqiptare ka humbur ekuilibrin mes figurave politike dhe vlerave njerëzore.



