Në podkastin “N’xhiro me Syçin”, gazetari Ilir Demalia zhvilloi një debat të ngjeshur me analistin Arion Sulo mbi krizën e opozitës dhe lëvizjet politike të fundit në vend. Në qendër të bisedës u vendos marrëdhënia mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt, si dhe qëndrimi i opozitës ndaj zgjedhjeve në Tiranë. “Është fakt që opozita për vite kërkoi largimin e Erion Veliajt me protesta, e sot, kur ai është politikisht i mbyllur, as nuk e përmend më,” tha Demalia, duke ironizuar paqartësinë e strategjisë opozitare. Nga ana tjetër, Arion Sulo theksoi se “opozita ka rënë në një nonsens politik, sepse kërkon shtyrjen e zgjedhjeve në Tiranë, por në fakt ka kapur në flagrancë presidentin”. Sipas tij, problemi është më i thellë dhe lidhet me mënyrën si Rama ka menaxhuar pushtetin: “Edi Rama ka luajtur për interesin e tij personal, jo për interesin publik.” Sulo shtoi me tone të forta se “Rama kërkon ta mbyllë njëherë e mirë kapitullin Veliaj, që të mos kthehet në një ‘Ahmetaj të dytë’. Si politikan, Veliaj është 90% i mbyllur, pa vlerë publike.”



