Në podkastin e fundit “N’xhiro me Syçin”, analisti Arion Sulo komentoi situatën politike dhe zgjedhjet lokale, duke vënë theksin tek veprimet e opozitës dhe të kryeministrit Rama. Sulo e përshkroi si “një lojë e dyfishtë” nxitimin e qeverisë për të vendosur datat e zgjedhjeve dhe kritikoi mungesën e koherencës në opozitë. “Është gati qesharake. Mund t’i bësh zgjedhjet në Tepelenë në nëntor, po në Tiranë çfarë bën? Ja çon presidentit në fund të shtatorit dhe ai cakton fillim në nëntor. Një javë fushatë nuk ka asnjë kuptim,” tha Sulo. Ai shtoi se Rama po mendon për interesin e tij, por kjo sjell shkelje të rëndësishme të procedurave: “Kjo është shkelje e rëndë, dhe opozita është e kapur në kurthin e kohës.” Sulo diskutoi edhe për konkurrencën brenda opozitës, duke theksuar nevojën për seriozitet: “Berisha duke mbështetur kandidatët më të mirë ka krijuar një konkurs qesharak, që mund të kthehet në parodi. Po dalin delirantë që thonë ‘unë e meritoj bashkinë e Tiranës’.” Ai përmendi emra si Florian Binaj, Ermal Lasimi dhe Edlira Çepani, duke theksuar se Tirana kërkon menaxhim të fortë dhe aftësi administrative: “Tirana do një njeri punëtor. Menaxhimi i Tiranës është zero ndërtime me ligj dhe plan urban.”



