Në podkastin “N’xhiro me Syçin”, i moderuar nga Ilir Demalia, i ftuar ishte gazetari dhe analisti Arion Sulo, me të cilin u diskutua për shpalljen e zgjedhjeve vendore dhe krizën e opozitës përballë garës në Tiranë. Sulo e konsideroi veprimin e presidentit si “një shkelje flagrante të Kushtetutës”, duke cituar juristë dhe konstitucionalistë që, sipas tij, janë unanimë në këtë qëndrim.
“Në 20 raste të ngjashme me shkarkime kryetarësh bashkish, është përdorur neni 115 i Kushtetutës. Këtë herë, presidenti iu referua nenit 62 pika C, çka përbën precedent të rrezikshëm”, theksoi Sulo. Sipas tij, veprimi nuk ishte i rastësishëm. “Ka qenë një plan i vendosur. Presidenti ka pasur vetëm rolin e noterit. Kjo tregon rënien e mëtejshme të institucioneve dhe humbjen e integritetit të tyre,” deklaroi analisti. Në vijim, Sulo kritikoi gjendjen e përgjithshme të institucioneve dhe mediave në vend.
“Pas parlamentit që është kthyer në paradhomë të qeverisë, pas presidencës që është aneks i saj, dhe shoqërisë civile që është zhdukur, edhe media është bërë propaganda e Ramës,” u shpreh ai. Demalia ndërhyri duke vënë në dukje se “nuk mund të thuhet se të gjitha mediat janë të kapura”, duke përmendur “Syri TV” si shembull të kundërt, por Sulo argumentoi se “edhe ai plotëson pazëllin e një vendi pseudo-demokratik”.



