Estonia ka kërkuar konsultime me anëtarët e tjerë të NATO-s pasi avionët luftarakë rusë shkelën hapësirën e saj ajrore të premten.
Ministria e Jashtme e Estonisë e dënoi ndërhyrjen si “të paturpshme”, duke shtuar se 3 avionë luftarakë rusë MiG-31 hynë në hapësirën ajrore “pa leje dhe qëndruan për një total prej 12 minutash” mbi Gjirin e Finlandës.
Një zëdhënës i NATO-s tha se aleanca ushtarake “reagoi menjëherë dhe interceptoi avionin rus”, duke e quajtur atë “një tjetër shembull të sjelljes së pamatur ruse dhe aftësisë së NATO-s për t’u përgjigjur”.
Italia, Finlanda dhe Suedia ngritën në ajër avionë luftarakë në kuadër të misionit të NATO-s për të forcuar krahun e saj lindor. Më vonë, Rusia mohoi shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë.
Tensionet janë përshkallëzuar midis NATO-s dhe Rusisë javën e fundit, pasi Polonia dhe Rumania, të dyja anëtare të aleancës ushtarake, thanë se dronët rusë shkelën hapësirën e tyre ajrore.
Në përgjigje, NATO u zotua të zhvendosë asetet ushtarake, përfshirë avionët luftarakë, në drejtim të lindjes për të forcuar mbrojtjen.
Ambasadori estonez në Shtetet e Bashkuara, Kristjan Prikk, tha se ndërhyrja në hapësirën ajrore estoneze ishte “serioze” dhe se Rusia “është përpjekur ta testojë NATO-n për një kohë të gjatë”.
“Ne besojmë se Rusia dëshiron t’u dërgojë një sinjal vendeve të NATO-s që të përqendrohen në mbrojtjen kolektive në vend që të mbështesin Ukrainën në luftën e saj”, shtoi ai.



