Shqipëria priti javën e kaluar
një ngjarje historike për vendin dhe futbollin tonë, mbledhjen e Komitetit
Ekzekutiv të UEFA-s. Nën drejtimin e Presidentit Aleksandër Čeferin, KE e
UEFA-s mori vendime të rëndësishme për të ardhmen e futbollit europian.
Në një intervistë ekskluzive
dhe të parën për FSHF TV, Presidenti Čeferin shpjegoi arsyen se pse Tirana u
zgjodh si mikpritëse e kësaj mbledhjeje të nivelit të lartë, ndërsa foli edhe
për bashkë-organizimin e Europianit U-21 2027 mes FSHF-së dhe Federatës Serbe.
Kreu i qeverisë së futbollit
europian vlerëson punën e FSHF-së ndër vite, ndërsa tregoi edhe mënyrën se si
UEFA ndihmon federatat e vogla dhe nëse Shqipëria do të mirëpresë sërish në të
ardhmen një tjetër kompeticion madhor europian.
– President, kjo nuk është hera
juaj e parë në Tiranë. Cili është impresioni i vizitës suaj këtu?
– Kam qenë shumë herë në
Tiranë, kam vizituar Federatën dhe mikun tim Armand. Është gjithmonë kënaqësi
të vij këtu, i shoh ndryshimet në qytet, në infrastrukturë dhe çdo gjë tjetër,
që nga vizita ime e parë në 2016 apo pak më herët. Që atëherë, shumë gjëra kanë
ndryshuar.
– Mbledhja e Komitetit
Ekzekutiv të Uefa-s është një ngjarje historike për futbollin shqiptar. Pse
zgjodhët Tiranën për këtë event?
– Prej 3-4 vitesh, në shtator
ne shkojmë në një vend të ri dhe mendojmë se Tirana është një vend fantastik
për të ardhur, e dinim që organizimi do të ishte i mirë. Ishte një zgjedhje e
lehtë për t’u bërë.
– Shqipëria do jetë
bashkë-organizatore me Serbinë për Kampionatin Europian U21 në 2027-n. Është
një event që është kontestuar shumë në rajon. Çfarë opinioni keni për këtë?
– Në këtë rajon, pothuajse çdo
gjë kontestohet. Mendimi im është që futbolli është përtej politikës. Futbolli
duhet të sjellë miqësi, paqe dhe jo dhunë e përdorim politik. Çfarëdo që të
bësh, sidomos në diçka si futbolli, kontestohet nga dikush. Më e rëndësishmja
është që të shohësh veten në pasqyrë dhe të thuash që ishte gjëja e duhur. Po
ndjekim çdo gjë bashkë, së bashku me Armandin dhe Federatën, gjithashtu dhe me
Federatën serbe dhe jam i sigurt që gjithçka do të shkojë shkëlqyeshëm. Do të
tregojmë që futbolli është mbi politikën e përditshme.
– Gjatë drejtimit tuaj kanë
qenë shumë projekte në mbështetje të federatave anëtare, po a është ky suport i
balancuar mes vendeve të vogla dhe të mëdha?
– Ka qenë mëse i balancuar do
thoja. Nëse bën një krahasim se sa sjellin vendet e mëdha, ata nuk përfitojnë
aq sa sjellin, ndërkohë vendet e vogla marrin pak më shumë sesa sjellin. Por
kjo është e drejtë, sepse ky është futbolli dhe ne jemi trupi drejtues dhe
duhet të zhvillojmë futbollin. Nuk duhet të harrojmë se vendet e mëdha, pa
lojtarët nga Shqipëria, Sllovenia apo Kroacia, nuk do të ishin aq të forta sa
janë. Ndaj, duhet të zhvillosh futbollin kudo që të kesh futboll të fortë edhe
në vendet e mëdha.
– Sa efiçente ka qenë FSHF në
Uefa?
-Super efiçente. Ju siguroj që
nuk do të kisha Armand Dukën si zv.president i Uefa-s, nëse FSHF nuk do të
bënte një punë të përkryer.
– Si mund ta ndihmojë Uefa në
të ardhmen kampionatin shqiptar?
– Të ndihmosh konkretisht
kampionatin është e pamundur, pasi nuk mund të ndërhyjmë te kampionatet. Por
besoj që kemi ndihmuar me Conference League, kompeticionin e ri, ku fituesi i
një kampionati të vogël, jo vetëm që mund të marrë pjesë, por edhe të ketë rezultate
të mira, siç shumë kampionate të vegjël e kanë treguar.
– Kanë qenë shumë evente në
Shqipëri në vitet e shkuara, si finalja e Conference League në vitin 2022,
Kampionati Europian U17 sezonin e kaluar, edhe Mbledhja e Komitetit Ekzekutiv.
A presim më shumë në të ardhmen? Si për shembull një Kampionat Europian në
2036-n me vende të tjera në rajon?
-Je i shpejtë! Secili shtet nga
55 vendet anëtare më pyet “A do të mirëpresim më shumë kompeticione?”. Le të
shohim, për momentin nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Por stadiumi
kombëtar është i mirë, për pjesën tjetër duhet të punoni edhe pak.




