Avokati i ish-presidentit
Hashim Thaçi, Pierre Richard Prosper deklaroi se sot “do të kemi një shans që
të tregojmë të vërtetën se çfarë me të vërtetë ka ndodhur në Kosovë në vitin
1999”.
Këto deklarata ai i bëri para
fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, James Rubin, i cili
gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmës-sekretar amerikan i Shtetit. Ai do të
paraqes dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Presidenti falënderon të gjithë për
mbështetjen në këtë proces. Jemi entuziast për sot, sepse do të na japë një
mundësi që të kthehemi në realitet, do të kemi një shans që të ri-ekzaminojmë
të vërtetën se çfarë me të vërtetë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999. Do të
jetë fillimi i një procesi ku ju mund të shihni prova të reja që do të tregohen
që presidenti nuk është përgjegjës për akuzat që i janë bërë dhe shpresoj që
mund të jeni prezent dhe të raportoni drejtë për çfarë do të ndodhë sot këtu”,
u shpreh ai.
Mbrojtja e Thaçit nuk ka dhënë
detaje për dëshminë, veçse shtoi se “nëse Dhomat e Specializuara dëgjojnë të
vërtetë, atëherë do të kemi mundësi për një vendim të drejtë”.
“Nuk dua të jap detaje për
dëshminë, por prapë, kjo është mundësia jonë që të dëgjojmë të vërtetën se
çfarë ndodhi dhe të kuptojmë rolet dhe përgjegjësitë janë…Shpresoj [për
arritjen e një vendimi]. Nëse Dhomat dëgjojnë të vërtetën, atëherë do të kemi
një mundësi për një vendim të drejtë dhe një që tregon se klienti jonë është i
pafajshëm”, shtoi ai para mediave.
Sot do të dëgjohet dëshmitari i
parë të mbrojtjes në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
James Rubin, i cili gjatë
luftës në Kosovë ishte ndihmës-sekretar amerikan i Shtetit, do të paraqes
dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Ky është dëshmitari i parë i
mbrojtjes së Thaçit, e cila ka paraparë që në gjykatore t’i sjell rreth 11
dëshmitarë. Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur
nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.




