Në Ditën e Flamurit, sipërmarrësi Gjergj Luca ka përcjellë një mesazh të fortë historik dhe kombëtar, duke ftuar shqiptarët të rikthehen te rrënjët e tyre dhe të marrin vendime duke pasur parasysh të ardhmen e brezave që vijnë.
Gjatë fjalimit të tij, Luca u ndal te Lidhja e Prizrenit e vitit 1878, të cilën e cilësoi si gurthemeli ku u bashkuan trojet shqiptare për t’u rikthyer identitetit, gjuhës dhe historisë pas shekujsh shkëputjeje, vijoi me Kongresin e Manastirit të vitit 1908 ku vlerësoi zgjedhjen e alfabetit latin si një hap vendimtar drejt qytetërimit perëndimor dhe vlerave europiane, dhe më pas solli në vëmendje ngritjen e flamurit në vitin 1912, sfidat e shtetformimit, periudhën e Princ Vidit dhe trazirat e viteve 1914–1916, duke veçuar Kongresin e Lushnjës të vitit 1920 si pikën ku filluan të ndërtohen institucionet shqiptare.
Në mbyllje të mesazhit, ai kërkoi që pozicionimi kombëtar të mos udhëhiqet nga ambiciet apo inatet e momentit, por nga vizioni për fëmijët dhe brezat e ardhshëm, ndërsa në tekstin shoqërues mbi video shkroi: “Mos harroni nga vini. Shikoni me ndershmëri ku jeni dhe mendoni me guxim se ku doni të shkoni. Mbajini rrënjët me krenari dhe hapni rrugën përpara, për veten dhe për fëmijët tuaj. Le t’u lëmë atyre kujtesën e rrënjëve dhe guximin për të shkuar më larg se ne. Rroftë flamuri!”



