
Italia ka miratuar një reformë të re në arsim, e cila parashikon ndalimin e mbulimit të fytyrës në shkolla dhe vendosjen e një kufiri prej 30% për nxënësit me origjinë të huaj në klasat e vitit të parë. Vendimi ka shkaktuar debate të forta politike, ndërsa opozita e ka cilësuar diskriminues.
Ligji u miratua përfundimisht të enjten në Dhomën e Deputetëve, me 142 vota pro, 112 kundër dhe katër abstenime. Ai ishte miratuar më herët edhe në Senat, më 20 nëntor.
Sipas reformës, kufiri prej 30% për nxënësit e huaj nuk do të zbatohet për ata që zotërojnë njohuri të mjaftueshme të gjuhës italiane. Ndërkohë, ndalimi i mbulimit të fytyrës prek drejtpërdrejt nxënëset myslimane që mbajnë burka ose nikab gjatë orëve të mësimit.
Një tjetër masë e parashikuar është organizimi i kurseve të gjuhës italiane për prindërit e huaj, me synimin për të lehtësuar integrimin e familjeve në sistemin arsimor. Miratimi i ligjit u shoqërua me protesta nga deputetët e opozitës, të cilët shfaqën në sallën e parlamentit pankarta me mbishkrimin: “Në shkollë askush nuk është i huaj”.
Përfaqësuesit e opozitës akuzuan qeverinë se po përqendrohet te kufizimi i nxënësve të huaj, në vend që të zgjidhë problemet reale të arsimit, si mungesa e mësuesve, pagat e ulëta dhe siguria e godinave shkollore.
Deputeti i Lëvizjes Pesë Yjet, Antonio Caso, deklaroi se problemi nuk është numri i fëmijëve të huaj në një klasë, por mungesa e mësuesve dhe e mjeteve të nevojshme për t’u garantuar të gjithëve të drejtën për arsimim. Sipas tij, masat e reja përbëjnë diskriminim dhe racizëm.
Edhe përfaqësuesja e Partisë Demokratike, Irene Manzi, kritikoi kufirin prej 30%, duke argumentuar se fëmijët nuk mund të trajtohen si paketa që zhvendosen nga një shkollë në tjetrën vetëm për të respektuar këtë përqindje.
Nga ana tjetër, shumica qeverisëse shprehu kënaqësinë për miratimin e reformës. Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, e cilësoi votimin si një dëshmi të unitetit të koalicionit qeverisës dhe mbështetjes për reformat e ndërmarra.
Një tjetër pikë e debatueshme e ligjit lidhet me librat shkollorë dhe universitarë në formatin elektronik. Sipas dispozitave të reja, botuesit do të detyrohen të ofrojnë versionet digjitale të librave me 50% të çmimit të botimeve të shtypura, me synimin për të ulur shpenzimet e familjeve.
Shoqata Italiane e Botuesve e kundërshtoi këtë masë, duke argumentuar se ajo nuk sjell përfitime të vërteta ekonomike për familjet, cenon të drejtat e autorit dhe rrezikon qëndrueshmërinë e kompanive botuese.
Për këtë çështje pati përplasje edhe brenda koalicionit qeverisës. Forza Italia u shpreh kundër uljes së detyrueshme të çmimit të librave digjitalë, ndërsa partia Vëllezërit e Italisë e mbështeti propozimin. Megjithatë, shumica u bashkua në votimin përfundimtar.
Reforma përfshin gjithashtu ndryshime në procesin e rekrutimit të mësuesve, mundësi për emërime të përhershme dhe rregulla të reja për specializimin e mësuesve ndihmës. Parashikohen edhe fonde shtesë për personelin administrativ dhe teknik, si dhe për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies.



