
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka pritur sot në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” në Tiranë një delegacion të lartë nga Moldavia, të kryesuar nga Kryetari i Parlamentit të Moldavisë, Igor Grosu, dhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Moldavisë, Leonid Oleinicenco.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kreu i qeverisë së futbollit shqiptar përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, ku e cilësoi këtë vizitë si një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave mes dy vendeve.
Gjatë këtij takimi, Duka u njohu zyrtarët moldavë me investimet e deritanishme dhe projektet strategjike të FSHF-së.Fokus i veçantë i bisedimeve ishte rritja e bashkëpunimit dypalësh për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive.
“Kënaqësi të mirëprisja në ‘Shtëpinë e Futbollit’ Kryetarin e Parlamentit të Moldavisë, z. Igor Grosu, së bashku me Presidentin e Federatës së Futbollit të Moldavisë, z. Leonid Oleinicenco, dhe delegacionin që i shoqëronte. Një mundësi e mirë për të prezantuar investimet dhe projektet e FSHF-së, për të shkëmbyer eksperienca dhe për të forcuar bashkëpunimin në zhvillimin e futbollit dhe infrastrukturës sportive”, shkruan Armand Duka në reagimin e tij.
Linkun e videos e gjeni ketu: https://www.facebook.com/share/v/1CWoN5oV2A/?mibextid=wwXIfr



