
Donald Trump Jr. ka dalë publikisht në mbrojtje të komedianit britanik Russell Brand, i cili u dënua me 10 vite e 6 muaj burg për përdhunim dhe sulme seksuale ndaj katër grave.
Gjatë emisionit të tij “Triggered”, të transmetuar në platformën Rumble, djali i presidentit amerikan pretendoi se Brand është viktimë e një sistemi drejtësie me standarde të dyfishta dhe se dënimi i tij mund të lidhet edhe me ndryshimin e qëndrimeve politike dhe afrimin me fenë.
Trump Jr. vuri në pikëpyetje kohën kur dolën në publik akuzat ndaj komedianit, duke theksuar se ato lidhen me ngjarje të ndodhura shumë vite më parë, kur Brand ishte një nga emrat më të njohur të showbiz-it britanik.
Sipas tij, çështja është ngritur pa prova mjekoligjore apo analiza të ADN-së, ndërsa gratë kanë raportuar ngjarjet shumë vite pas ndodhjes së tyre.
“Kur ishte i martuar me Katy Perryn dhe një nga aktorët më të njohur në botë, duket se askush nuk kishte problem me sjelljen e tij”, u shpreh Trump Jr.
Ai pretendoi gjithashtu se Brand kishte ndryshuar mënyrën e jetesës, ishte pagëzuar dhe kishte nisur të shprehte publikisht qëndrime më konservatore, përpara se të përballej me procesin gjyqësor.
Russell Brand, 51 vjeç, u dënua më 9 nëntor në Gjykatën Crown të Southwark në Londër. Juria e kishte shpallur fajtor më 5 nëntor për një akuzë përdhunimi dhe tri akuza për sulme seksuale, të kryera ndaj katër grave në periudhën 2004–2009. Ai u shpall i pafajshëm për dy akuza të tjera për përdhunim dhe një për tentativë sulmi seksual.
Reagimi i Trump Jr. nuk është i vetmi nga figura të njohura që kanë kritikuar vendimin. Ish-prezantuesja e Fox News, Megyn Kelly, e cilësoi dënimin si një “gjueti shtrigash politike”, ndërsa Elon Musk e quajti atë të padrejtë.
Nga ana tjetër, gjatë shpalljes së dënimit, gjykatësi Joel Bennathan e përshkroi Brand si një grabitqar seksual dhe theksoi se fama dhe pozita e tij nuk mund ta vendosnin mbi ligjin.
Akuzat ndaj komedianit u bënë publike në vitin 2023, pas një hetimi të përbashkët të gazetave “The Times”, “The Sunday Times” dhe televizionit Channel 4.
Burimi: New York Post



