
Mali i Zi është vendi i parë kandidat që po përballet me mekanizmin e ri të garancive të Bashkimit Evropian për anëtarët e ardhshëm të unionit. Ndërsa shtetet anëtare pritet të dakordësojnë një qëndrim që në javën e ardhshme, Podgorica po kupton se këto kushte, përfshirë mundësinë e pezullimit të së drejtës së votës, nuk janë të negociueshme.
Bashkimi Evropian po diskuton vendosjen e mekanizmave më të fortë mbikëqyrës për vendet e reja anëtare, me qëllim parandalimin e shkeljeve të vlerave evropiane dhe abuzimit me të drejtat që burojnë nga anëtarësimi. Por për vendet kandidate, mesazhi i Brukselit është i qartë: ose i pranojnë kushtet e reja, ose heqin dorë nga perspektiva e anëtarësimit.
Muajin e kaluar, Komisioni Evropian propozoi një periudhë prove prej 15 vitesh për vendet që do t’i bashkohen unionit. Mekanizmi synon t’i japë BE-së mundësinë të ndërhyjë me shpejtësi ndaj shteteve që shkelin vlerat e përbashkëta dhe parimin e bashkëpunimit të sinqertë mes anëtarëve.
Nisma erdhi pas kërkesës së pesë vendeve themeluese të BE-së për të nxjerrë mësime nga përvoja me Hungarinë e Viktor Orbanit, i cili për vite me radhë përdori të drejtën e vetos për të ushtruar presion ndaj unionit dhe për të siguruar lëshime në vendimmarrjet e rëndësishme.
“Kur e përmenda për herë të parë këtë çështje, thashë: nuk duam më kuaj Troje në Bashkimin Evropian. Kjo ishte ende përpara zgjedhjeve në Hungari. Sot mund të them se nuk duam më Viktor Orbanë të tjerë”, deklaroi komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë prezantimit të masës.
Kushtet e reja, pa të drejtë negocimi
Për Malin e Zi, vendin më të avancuar në procesin e integrimit, tërheqja nga rruga drejt BE-së është thuajse e pamendueshme. Podgorica ka investuar për më shumë se një dekadë burime të konsiderueshme administrative dhe politike për të përmbushur kushtet e anëtarësimit.
Megjithatë, ndryshimi i rregullave në fazën përfundimtare të procesit ka shkaktuar pakënaqësi te zyrtarët malazezë, të cilët shmangin kritikat publike ndaj propozimit, nga frika se mund të dëmtojnë negociatat.
Një zyrtar i lartë i BE-së, i cili foli në kushte anonimiteti për Euronews, tha se mekanizmat mbrojtës kanë qenë gjithmonë disi të njëanshëm.
Masa të tilla nuk janë krejtësisht të reja. Ato janë përfshirë edhe në traktatet e anëtarësimit të Kroacisë, Bullgarisë dhe Rumanisë, por deri më tani kanë pasur të bëjnë kryesisht me shkeljet e rregullave ekonomike, të tregut të brendshëm dhe të drejtësisë.
Ndryshimi këtë herë është se Brukseli po shqyrton masa shumë më të ashpra, deri në pezullimin e së drejtës së votës së një shteti anëtar.
Brukseli vendos, Podgorica duhet të pranojë
Ndryshe nga kapitujt e tjerë të negociatave, në këtë rast Mali i Zi nuk i paraqet BE-së një pozicion negociues dhe as nuk i kërkohet të përmbushë objektiva të ndërmjetëm reformash. Kushti kryesor është pranimi i mekanizmave që propozon Brukseli.
Komisioni Evropian po përgatit qëndrimet e përbashkëta të BE-së për kapitujt 34 dhe 35, ku përfshihen edhe dispozitat që do të përcaktojnë garancitë institucionale në traktatin e ardhshëm të anëtarësimit të Malit të Zi.
Muajin e kaluar, Komisioni u dërgoi vendeve anëtare draftin e parë të këtyre dispozitave për të marrë komentet e tyre. Presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së po mbledh aktualisht qëndrimet e qeverive dhe synon të paraqesë një pozicion të konsoliduar në nivel ambasadorësh javën e ardhshme.
Pasi shtetet anëtare të dakordësojnë qëndrimin e tyre, Komisioni pritet ta përfshijë atë në traktatin e anëtarësimit të Malit të Zi. Kjo do të thotë se mundësia e vetme e Podgoricës për të ndikuar në përmbajtjen përfundimtare është përmes lobimit te qeveritë e vendeve anëtare, pasi vendosja e një qëndrimi të përbashkët do ta bëjë ndryshimin e tij shumë të vështirë.
Debati mes vendeve anëtare përqendrohet në tri çështje kryesore: masat që mund të aktivizohen në rast shkeljesh të rënda, përfshirë pezullimin e së drejtës së votës; kohëzgjatjen 15-vjeçare të periudhës së mbikëqyrjes, të cilën vendet kandidate e konsiderojnë tepër të gjatë; si dhe mënyrën e vendimmarrjes, ku propozimi aktual i jep Komisionit Evropian ndikim të konsiderueshëm.
Disa kryeqytete evropiane janë më të hapura ndaj shqetësimeve të vendeve kandidate dhe kërkojnë dallimin mes kërkesës politike për garanci më të forta dhe hartimit të një kuadri ligjor që mund të zbatohet në praktikë.
Italia, pjesë e grupimit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, ka kërkuar respektimin e barazisë mes shteteve anëtare dhe vendosjen e masave proporcionale, të përshtatura për secilin vend kandidat.
Në anën tjetër, Holanda ka mbështetur një qasje të njëjtë për të gjitha vendet që synojnë anëtarësimin, pa bërë dallime mes tyre.
Pavarësisht se cili prej këtyre qëndrimeve do të mbizotërojë në fund, një gjë duket e qartë: Mali i Zi nuk do të ketë fjalën e fundit për kushtet e reja që po i vendos Bashkimi Evropian./Euronews.com



