
Parlamenti i Belgjikës ka miratuar një ligj të ri që u jep autoriteteve policore të drejtën të hyjnë në banesa private për të arrestuar emigrantët e paligjshëm që refuzojnë të largohen nga vendi.
Masa është mbështetur nga ministrja e Azilit dhe Migracionit, Anneleen Van Bossuyt, dhe synon të rrisë numrin e dëbimeve, si pjesë e politikave të qeverisë për forcimin e kontrollit mbi emigracionin e paligjshëm.
Sipas të dhënave zyrtare të agjencisë belge të statistikave, Statbel, 36.6% e banorëve të Belgjikës janë shtetas të huaj ose qytetarë belgë me prejardhje të huaj.
Në Rajonin e Kryeqytetit, Bruksel, kjo shifër arrin në 78.5%, ndërsa vetëm 21.5% e banorëve klasifikohen si shtetas belgë me prejardhje belge.
Miratimi i ligjit ka rikthyer në qendër të debatit çështjen e emigracionit dhe kufijtë e kompetencave të policisë për ndërhyrjen në hapësirat private.



