
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen dhe se do të qëndrojë në krye të qeverisë deri në ditën e fundit të mandatit të tij, pavarësisht protestave të fundit që po zhvillohen në Tiranë.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve dhe studentëve, Rama kritikoi protestuesit që kërkojnë largimin e tij, duke i akuzuar disa prej tyre për akte dhune dhe sulme ndaj policisë.
“Unë jam dhe do të jem në krye të detyrës sime deri në ditën e fundit të kontratës sime me popullin shqiptar”, u shpreh kryeministri, duke theksuar se nuk do t’u nënshtrohet kërkesave të protestuesve për largimin e tij nga detyra.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal edhe te zhvillimet ekonomike, duke vënë theksin te rritja e pensioneve, masat për lehtësimin e kostos së jetesës dhe buxheti i shtetit.
Rama deklaroi se pensionet do të rriten çdo vit, ndërsa rritja e këtij viti, sipas tij, do të jetë e dyfishuar. Ai pranoi gjithashtu se rritja e çmimeve të karburanteve ka ndikuar në kostot e familjeve shqiptare, duke paralajmëruar masa lehtësuese për përballimin e kësaj situate.
Kryeministri theksoi se buxheti i shtetit për herë të parë kalon vlerën e 10 miliardë eurove, duke e cilësuar këtë si një tregues të rritjes ekonomike të vendit.
Deklaratat e Ramës vijnë në një moment tensionesh politike dhe protestash në kryeqytet, ku një nga kërkesat kryesore të protestuesve është largimi i tij nga pushteti. Megjithatë, kryeministri rikonfirmoi qëndrimin e tij për të përfunduar mandatin e marrë nga qytetarët.



