
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, dhe kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, kanë zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, për të diskutuar zhvillimet e fundit të luftës në Ukrainë dhe mundësitë për t’i dhënë fund konfliktit.
Sipas një njoftimi nga zyra e presidentit finlandez, telefonata ishte një vijim i takimit të zhvilluar javën e kaluar në Oslo, ku Stubb dhe Støre pritën bisedimet mes përfaqësuesve amerikanë dhe ukrainas. Dy liderët synojnë të avancojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia kundër Ukrainës, shkruan Guardian.
“Qëllimi i telefonatës ishte t’i përcilleshin drejtpërdrejt presidentit Putin mesazhe lidhur me negociatat e ardhshme, me synimin për të ndihmuar në përfundimin e luftës”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Biseda lidhet gjithashtu me takimet e pritshme në Abu Dhabi, ku pritet të zhvillohen negociata trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara në fillim të muajit nëntor.
Pas telefonatës, presidenti finlandez Alexander Stubb i cilësoi diskutimet si “të drejtpërdrejta dhe përmbajtësore”, duke theksuar se përfundimi i luftës kërkon dialog të drejtpërdrejtë me Moskën.
Edhe kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre nënvizoi rëndësinë e uljes së tensioneve, duke paralajmëruar për pasojat e rënda njerëzore dhe materiale të konfliktit.
“Lufta ka kosto të jashtëzakonshme njerëzore dhe materiale. Vuajtjet dhe shkatërrimet do të ndikojnë te brezat e ardhshëm. Gjatë telefonatës, theksuam rëndësinë e uljes së përshkallëzimit”, u shpreh Støre.
Finlanda dhe Norvegjia, të cilat ndajnë kufi me Rusinë dhe mbështesin Ukrainën, kanë interes të përbashkët për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Detit Baltik dhe në veriun e largët të Europës.
Në deklaratën zyrtare theksohet gjithashtu se Stubb dhe Støre zhvilluan bisedën në cilësinë e drejtuesve të vendeve të tyre dhe jo në emër të Europës si një e tërë.



