
Analisti Ben Andoni është treguar i rezervuar ndaj fitores së Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke paralajmëruar se ndryshimi i pushtetit në Beograd nuk do të thotë domosdoshmërisht një qasje më të favorshme ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.
Në emisionin “7 pa 5” në Vizion Plus, Andoni tha se rezultati ka një rëndësi të madhe për faktin se tregon se edhe liderët autoritarë mund të largohen përmes votës, por shtoi se nuk është entuziast për atë që mund të sjellë Lista Studentore në raport me Kosovën.
“Nuk jam entuziast fare për Listën e Studentëve, përveç faktit të madh që, në njëfarë mënyre, po u tregon rrugën autokratëve. Është një rrugë e mirë që autokratët po mësojnë daljen e tyre nga politika”, tha Andoni.
Sipas tij, çështja e Kosovës nuk është periferike për politikën serbe, për sa kohë ajo mbetet pjesë e preambulës së Kushtetutës së Serbisë.
“Kosova jo vetëm nuk do të ndryshojë në retorikën e tyre, por mund të jetë edhe më keq se në kohën e zotit Vuçiç”, deklaroi analisti.
Andoni shtoi se, paradoksalisht, Aleksandër Vuçiç, përmes dialogut me Kosovën, e kishte njohur atë “de facto”.
“Për fatin tonë të mirë, duhet të them një paradoks: zoti Vuçiç e ka njohur de facto Kosovën. Në momentin që ti ulesh në dialog me një vend, ti e ke pranuar de facto, pavarësisht se çfarë retorike bën”, tha ai.
Andoni ngriti gjithashtu shqetësimin se Serbia prej kohësh po punon për të zhbërë marrëveshjet që, sipas tij, hapën rrugën drejt pavarësisë së Kosovës, duke përmendur në këtë kontekst Marrëveshjen e Kumanovës.



