
Zbardhet përmbajtja e mesazhit kërcënues që shkaktoi alarm në Gjykatën dhe Prokurorinë e Fierit, duke çuar në evakuimin e godinave.
Në mesazhin e dërguar pretendohet se brenda ndërtesës është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO).
“Ju njoftojmë urgjentisht se në këtë moment brenda ndërtesës është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO)”, thuhet në mesazh.
Më tej, dërguesi pretendon se do të kryhen një sërë sulmesh terroriste në territorin e vendit, duke përdorur edhe kërcënime me përmbajtje fetare dhe politike.
“Ajo që do të përjetoni sot është vetëm fillimi. Një ditë, qeveria juaj do të dorëzojë pushtetin dhe do të vendoset Sheriati”, thuhet në mesazh, i cili përfundon me shprehjen “Allahu Ekber”.
Pas marrjes së mesazhit, personat që ndodheshin në ambientet e institucioneve janë evakuuar, ndërsa në zonë është shtuar prania e forcave të Policisë.
Deri më tani, nuk ka informacion zyrtar që të konfirmojë praninë e një mjeti shpërthyes. Strukturat përkatëse pritet të kryejnë verifikimet për të përcaktuar nëse kërcënimi është real.




