
Biznesmeni Gjergj Luca ka goditur sërish me ironi nga Fieri, teksa ka festuar njëmujorin e aktivitetit të tij të ri në këtë qytet. Rrethuar nga punonjësit e tij, Luca ka improvizuar një “fjalim falënderimi” me doza të forta sarkazme të drejtuara ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Pasi falënderoi fierakët për mikpritjen, Luca u kërkoi punonjësve të bëhen gati për falënderimin më “special”:
“Dua të falënderoj kryetarin e partisë time në Fier, Gaz Bardhin! O Gaz Bardhi, kur kam qenë unë në Partinë Demokratike, o zotëri, ti nuk ke fshirë këpucët!”
Sipas biznesmenit, politikanët tentojnë të përçajnë qytetarët, ndërsa “partia” e tij e vërtetë është puna dhe Shqipëria. Luca nuk i ka kursyer thumbat për opozitën, duke deklaruar se po të ishte për politikanët si Bardhi, njerëzit do të kishin mbetur “te arra e tares”.
Në fund të “mitingut” ironik, Luca ka mbyllur fjalimin me thirrjet “Rroftë puna” dhe “Bravo Fieri”, për t’u kthyer menjëherë te realiteti duke i thënë punonjësve: “Hajde fort te puna se na ikën klientët!”



