
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e 39 deputetëve të Kuvendit, të cilët kundërshtuan dekretet e Presidentit për emërimin e Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, raporton gazetarja Anila Hoxha.
Vendimmarrja u bë e ditur sot nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, gjatë komunikimit me gazetarët në ambientet e gjykatës.
Kërkesa lidhej me dispozita të dekreteve presidenciale për përbërjen e Këshillit të Ministrave, për të cilat deputetët pretendonin se ishin në kundërshtim me Kushtetutën.
Në qendër të çështjes ishte edhe emërimi i ministres virtuale të Inteligjencës Artificiale, Diella, çështje që ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike.
Me rrëzimin e kërkesës, Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi dekretet përkatëse të Presidentit lidhur me formimin e qeverisë.
Vendimi vjen pas shqyrtimit të çështjes nga Gjykata Kushtetuese, e cila në kalendarin e saj kishte parashikuar shqyrtimin e çështjeve të paraqitura nga deputetët në seancë plenare mbi bazë dokumentesh.
Në dekretin e Presidentit për përbërjen e Këshillit të Ministrave, të 15 shtatorit 2025, përcaktohet se Kryeministri Edi Rama ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual të Inteligjencës Artificiale “Diella”.



