
Drejtori ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk, ka vlerësuar presidentin kinez Xi Jinping, duke e cilësuar atë si një “udhëheqës të madh” gjatë një interviste për transmetuesin shtetëror kinez CCTV.
“Nën presidencën e tij, Kina ka parë një prosperitet të jashtëzakonshëm”, deklaroi Musk, duke iu referuar zhvillimit të infrastrukturës dhe ndërtimeve të reja në vend.
Ai shtoi se rritja e mirëqenies së qytetarëve kinezë është e dukshme edhe në jetën e përditshme.
“Është gjithashtu e qartë, vetëm duke ecur nëpër rrugë, se prosperiteti i qytetarit mesatar kinez është rritur”, tha Musk.
Komentet e tij vijnë në prag të një darke në Shtëpinë e Bardhë, ku Musk pritet të marrë pjesë së bashku me drejtues të tjerë të biznesit amerikan, në nder të Xi Jinping. Darka organizohet nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Trump dhe Xi Jinping pritet të zhvillojnë të enjten takimin e tyre të dytë këtë vit, pas vizitës së presidentit amerikan në Kinë.
Gjatë intervistës, Musk foli edhe për aktivitetin e Tesla-s në Kinë, duke veçuar fabrikën e kompanisë në Shangai, e cila është qendra më e madhe e prodhimit të Tesla-s.
Ai e cilësoi ekipin e fabrikës si “jashtëzakonisht të talentuar, punëtor dhe të besueshëm”.
“Fabrika e Teslës në Shangai është një perlë, është e bukur, në fakt, nëse dikush ka qenë ndonjëherë atje”, u shpreh Musk.



