
Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump po përgatit vendosjen e sanksioneve të gjera ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), në një përshkallëzim të ri të përplasjes mes Uashingtonit dhe institucionit me seli në Hagë.
Masat e propozuara parashikojnë ndalimin e shumicës së transaksioneve financiare me ICC-në pas një periudhe kalimtare prej gjashtë deri në shtatë muaj. Këto kufizime pritet të godasin rëndë funksionimin e përditshëm të gjykatës, duke i vështirësuar përdorimin e dollarit amerikan dhe aksesin në rrjetin e sistemit financiar ndërkombëtar.
Vendimi përfundimtar pritet të marrë formë zyrtare gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ose në ditët pasuese.
Përplasja mes palëve u thellua me lëshimin e urdhër-arresteve në vitin 2024 ndaj Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-Ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant, lidhur me akuzat për krime lufte në Rripin e Gazës. Zyrtarët e lartë amerikanë, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, e kanë cilësuar veprimin e ICC-së si një precedent të rrezikshëm që cenon sovranitetin e shteteve që nuk janë palë e Statutit të Romës.



